Fustani i nusërisë së Dua Lipës mahnit botën: 480 mijë rruaza të qepura me dorë dhe mbi 1 mijë orë punë!

Dua Lipa via Instagram
Dua Lipa via Instagram

Vetëm pak ditë pas martesës së saj me aktorin Callum TurnerSiçili, Dua Lipa ka ndarë me ndjekësit pamjet e ceremonisë madhështore, duke zbuluar edhe një nga detajet më të komentuara të dasmës: fustanin e nusërisë.

Krijimi i veçantë ishte një vepër e Chanel Haute Couture dhe shënon edhe projektin e parë të nusërisë nga drejtori artistik i shtëpisë së modës, Matthieu Blazy.

Fustani i realizuar posaçërisht për këngëtaren kishte një dizajn elegant me dekolte të rrumbullakët, shpinë të hapur dhe zbukurime që krijonin efektin e bizhuterive.

Dua Lipa via Instagram

Detajet e krijimit kanë impresionuar publikun: fustani përmbante plot 480 mijë rruaza të qepura me dorë nga Atelier Montex, ndërsa punimet dekorative kërkuan më shumë se 1.100 orë punë nga mjeshtrit e Lesage.

Pamja e saj u kompletua me një bisht dy metra, të zbukuruar me rreth 25 mijë pupla të realizuara nga Lemarie, si dhe një vello gjashtë metra të gjatë të qëndisur me dorë.

Edhe këpucët e bardha prej sateni ishin një krijim i personalizuar nga Massaro, një tjetër emër prestigjioz i lidhur me Chanel.

Dua Lipa via Instagram

Shtëpia franceze e modës theksoi se ky projekt erdhi nga bashkëpunimi i afërt me Dua Lipën, duke kombinuar traditën e modës së lartë me një stil modern dhe minimalist.

Gjatë ditëve të dasmës, këngëtarja kishte zgjedhur gjithashtu veshje të tjera të personalizuara, përfshirë një kostum Schiaparelli për ceremoninë civile në Londër dhe një fustan Bottega Veneta për festën para dasmës në Siçili.

Me këtë paraqitje, Dua Lipa ka sjellë një tjetër moment të paharrueshëm në botën e modës, duke e kthyer fustanin e saj të nusërisë në një nga krijimet më të diskutuara të vitit.