Pasi emri i tij u përmend në pretendimet e Erion Veliajt lidhur me drejtimin e Bashkisë së Tiranës, ka ardhur edhe reagimi i parë nga Arbër Hajdari.
Opinionisti i njohur i Big Brother VIP Albania ka reaguar përmes një postimi, duke treguar se është përballur me një numër të madh mesazhesh nga ndjekësit që e kanë pyetur për këtë histori.
Hajdari nuk i ka kursyer ironitë, duke u distancuar kategorikisht nga pretendimet dhe duke theksuar se nuk ka asnjë lidhje me çështjen që ka përfshirë kryebashkiakun e Tiranës.
“Më mbytën mesazhet për thashethemet e Erion Veliajt. Jam pa fjalë dhe nuk e kuptoj pse paskam rënë unë këtë herë në çorbën e fantazive të zotërisë!”, shkruan ai.
Më tej, Arbëri ka mohuar çdo përfshirje në këtë histori, duke theksuar se nuk ka asnjë interes për një rol të tillë në Bashkinë e Tiranës.
“Unë nuk kam lidhje me këtë histori penale-politike dhe as jam i papunë, as kam ëndërruar ndonjëherë të më punësojë, larg qoftë, Lali Eri!”, shprehet ai.
Në fund të reagimit, Hajdari ka zgjedhur të bëjë edhe një referencë për angazhimin e tij humanitar, duke theksuar se fundjavat i kalon pranë njerëzve në nevojë, ndërsa zhvillimet politike i konsideron thjesht diskutime pa interes për të.
“Pa merak miq, unë jam Arbëri i fundjavës”, e përmbyll ai reagimin.

Arbër Hajdari via Instagram Story
Kujtojmë se emri i Arbër Hajdarit u përmend në letrën e publikuar nga Erion Veliaj, ku ky i fundit pretendonte se i ishte kërkuar të hiqte dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe t'ia delegonte atë Hajdarit. Një pretendim që ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e ka mohuar.
Me këtë reagim, Arbër Hajdari ka bërë të qartë qëndrimin e tij, duke u distancuar nga përplasja mes Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama.




