“Gjak nga sytë”/ Sara Gjordeni ngre alarmin për infeksionin që ka prekur familjen e saj: “Mos e neglizhoni!”

Sara Gjordeni via Instagram
Sara Gjordeni via Instagram

Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania”, Sara Gjordeni, ka shqetësuar ndjekësit me një rrëfim mbi gjendjen shëndetësore të familjes së saj. Ajo ka zbuluar se vetë, partneri i saj Bardhi dhe vajza e tyre, Nea, po përballen me një infeksion të syve, të cilin e ka përshkruar si mjaft të rëndë.

Përmes disa postimeve në Instagram, Sara ka publikuar pamje të syrit të saj, duke treguar se ditët e fundit ka marrë edhe shumë mesazhe nga ndjekës që raportojnë simptoma të ngjashme. Sipas saj, bëhet fjalë për një “grip të syve” ose konjuktivit, që po qarkullon te persona të ndryshëm.

“Gjatë këtyre ditëve më keni shkruar se edhe shumë prej jush po përjetojnë një epidemi të syve. Edhe unë po e kaloj gjithashtu, bashkë me Bardhin dhe Nean. Është një ‘grip sysh’ ose konjuktivit që po qarkullon”, ka shkruar ajo.

Sara Gjordeni via Instagram Story

Sipas përshkrimit të Sara Gjordenit, simptomat që po përjeton janë të forta dhe përfshijnë enjtje të syve, dhimbje, djegie dhe turbullim të shikimit. Ajo ka bërë gjithashtu një deklaratë të fortë për pasojat që, sipas saj, mund të shoqërojnë infeksionin.

“Arrin deri edhe të të rrjedhë gjak nga sytë, të të enjtën derisa nuk i hap dot më, me turbullim shikimi deri 70-80%, dhe nuk kalon pa u bërë muaji”, është shprehur ish-banorja e BBVA-së.

Në një tjetër postim, Sara u është drejtuar veçanërisht prindërve, duke i paralajmëruar që të tregojnë kujdes me kontaktet e fëmijëve, pasi infeksioni mund të përhapet lehtësisht përmes kontaktit të afërt.

“Ruajini fëmijët të mos prekin këdo ose të mos i puthë kushdo. S’e keni idenë sesa persona më shkruajnë në ditë për këtë gjë. Dukshëm është diçka në masë”, ka shkruar ajo.

Sara Gjordeni via Instagram Story

Përveç shqetësimeve me sytë, Sara Gjordeni ka treguar se po përjeton edhe dhimbje dhe enjtje të gjëndrave që ndodhen përpara veshëve, duke e përshkruar situatën si mjaft të vështirë.

“Realisht qenka shumë e rëndë, se paska shumë dhimbje, djegie dhe enjtje të gjëndrave përpara veshëve. Mos e neglizhoni!”, ka përfunduar ajo.

Duhet theksuar se këto janë përshkrimet e vetë Sarës dhe jo një konfirmim mjekësor për përhapjen e një epidemie. Gjakderdhja nga syri ose turbullimi i ndjeshëm i shikimit kërkojnë vlerësim urgjent nga një mjek okulist.