Një video me Joz Markun në një dasmë po qarkullon në rrjetet sociale, duke nxitur pretendimin se këngëtari ka thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Në pamjet e shpërndara, ish-banori i “Big Brother VIP Albania” shfaqet mes të ftuarve në një dasmë, ku merr mikrofonin dhe nis të këndojë. Videoja është shoqëruar me mbishkrimin: “Pas daljes nga burgu, Joz Marku i bashkohet gëzimit familjar dhe ia merr këngës në dasëm”.
Megjithatë, pamjet nuk janë të ditëve të fundit. Videoja është e vjetër dhe nuk dokumenton një dalje të Joz Markut nga banesa pas vendimit të gjykatës.
Për këtë arsye, vetëm kjo video nuk përbën provë se këngëtari ka shkelur arrestin në shtëpi.
Joz Marku u arrestua më 5 shtator, pas publikimit të pamjeve të konfliktit me Eduart Kuçin. Në atë kohë, Policia e Tiranës bëri me dije se ndaj tij po hetohej për disa vepra penale, mes tyre “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”.
Më 9 shtator, Gjykata e Tiranës vendosi lirimin e tij nga qelia dhe caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Kjo është një masë sigurie gjatë procesit gjyqësor dhe nuk përbën një dënim përfundimtar.
Pra, videoja nga dasma i përket një periudhe të mëparshme dhe publikimi i saj si provë se Joz Marku ka thyer masën e sigurisë është i pasaktë.




