Aurela Gaçe ka reaguar publikisht pasi emri i saj është përmendur në disa aludime që qarkullojnë në rrjet në lidhje me çështjen ku është përmendur kompozitori Adi Hila.
Përmes një postimi në Instagram, këngëtarja ka mohuar kategorikisht çdo pretendim që e lidh me video apo materiale të natyrës intime, duke sqaruar se bashkëpunimet e saj me persona të industrisë muzikore kanë qenë vetëm profesionale.
“Ditët e fundit po shoh emrin tim të përfshihet në lajme e aludime të pabazuara. Përballë shpifjeve që cenojnë dinjitetin tim, nuk mund të hesht”, shkruan Gaçe.
Artistja ka theksuar se fakti që ka pasur bashkëpunime muzikore me autorë të ndryshëm nuk i jep askujt të drejtën të krijojë histori rreth jetës së saj private.
“Dua të jem e qartë: Nuk jam pjesë e asnjë videoje të natyrës që po aludohet. Çdo pretendim që më lidh me të tilla përmbajtje është i pavërtetë”, deklaron ajo.
Gaçe ka folur edhe për familjen e saj, duke theksuar se nuk do të lejojë që emri dhe dinjiteti i saj të përdoren për atë që ajo i konsideron përbaltje apo argëtim publik.
“Dinjitetin tim e kam shumë të shtrenjtë dhe nuk lejoj askënd ta përdhosë. Edhe një herë! NUK LEJOJ ASNJË TË MË PËRBALTË”, shkruan këngëtarja.
Në fund të reagimit, Aurela Gaçe ka paralajmëruar edhe masa ligjore ndaj personave që, sipas saj, përdorin emrin e saj në histori të sajuara ose publikojnë pretendime që cenojnë figurën e saj.
“Për çdo shpifje që cenon emrin dhe dinjitetin tim, do të ndërmarr hapat e nevojshëm ligjorë. Liria e fjalës nuk është liri për të shpifur”, përfundon ajo.

Aurela Gaçe via Instagram Story
Reagimi i këngëtares vjen pasi emri i saj është përmendur në rrjet në kuadër të aludimeve rreth çështjes së Adi Hilës. Nga ana e saj, Gaçe i ka hedhur poshtë prerazi pretendimet dhe ka kërkuar që emri i saj të mos përfshihet në këtë histori.




