Moderatorja Kiara Tito është përballur me një valë reagimesh negative në rrjetet sociale pas publikimit të reklamës së saj më të fundit si imazh i Digitalb.
Nën postimin e saj kanë vërshuar komente të shumta kritike, ku disa përdorues kanë përdorur edhe fjalor ofendues ndaj moderatores dhe kompanisë. Megjithatë, Kiara ka vendosur të reagojë publikisht duke i bërë të dukshme këto komente.

Ajo ka ndarë në Instastory disa nga mesazhet, duke ngritur dyshime se ato mund të jenë të organizuara dhe të vijnë nga llogari të rreme. Sipas saj, profile me emra dhe fotografi të huaja kanë lënë komente të ngjashme në shqip, të cilat duken si mesazhe të kopjuara.
Përmes reagimit të saj, Kiara Tito ka ironizuar situatën, duke sugjeruar se dikush mund të ketë paguar për të dëmtuar imazhin e saj në rrjet.
“Call center-at qenkan aktivizuar sonte pas reklamës për Digitalb. Sa lek po harxhoni për këto komentet fake? Më mirë mblidhini dhe bëni ndonjë kurë për të shëruar xhelozinë,” – ka shkruar moderatorja, duke e mbyllur reagimin me një mesazh për ata që, sipas saj, po përpiqen ta sulmojnë në mënyrë të organizuar.





