Vetëm pak javë pasi bëri publik lajmin se është në pritje të ëmbël për herë të dytë, Sara Gjordeni ka zhvilluar një bashkëbisedim me ndjekësit në Instagram, ku ka folur edhe për planet e saj dhe të Bardhit për zbulimin e gjinisë së bebit.
E pyetur nëse do të organizojnë një “gender reveal”, moderatorja tregoi se kanë vendosur të ndjekin të njëjtën rrugë si me vajzën e tyre, Nea, duke e mbajtur këtë moment të vogël dhe privat, vetëm mes tyre.
Me humor, Sara u shpreh se sot ekzistojnë plot mënyra spektakolare për të zbuluar gjininë e bebit, madje edhe me “avion me tym që lëshon ngjyrë”, por theksoi se zgjedhja e tyre është krejt ndryshe.
Moderatorja shpjegoi se arsyeja e këtij vendimi lidhet me dëshirën që Nea të mos ndihet kurrë më pak e veçantë se fëmija i dytë.
“Nuk dua absolutisht diferencime mes fëmijëve. Edhe 10 të kemi, të gjithëve do ua bëjmë njësoj,” u shpreh ajo.
Sara shtoi se momentin e zbulimit të gjinisë do ta përjetojnë fillimisht vetëm si familje dhe më pas do ta ndajnë me ndjekësit përmes rrjeteve sociale.




