Vetëm një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë nisur procedurën për shqyrtimin e kërkesave për zhdëmtimin e viktimave në këtë çështje gjyqësore.
Sipas urdhrit të Trupit Gjykues II, kërkesat për kompensim pritet të trajtohen nga vetë Dhomat e Specializuara dhe jo përmes padive civile në gjykatat e Kosovës, nëse Mbrojtja nuk paraqet kundërshtime ndaj kësaj procedure.
Gjykata ka argumentuar se gjykatat civile në Kosovë nuk përbëjnë një rrugë mjaftueshëm “efektive dhe realiste” për viktimat e këtij rasti. Një tjetër element i marrë në konsideratë është ruajtja e masave mbrojtëse, pasi viktimave pjesëmarrëse u është garantuar anonimiteti ndaj publikut.
Megjithatë, procedura nuk është ende përfundimtare. Mbrojtja ka afat deri më 22 shtator për të paraqitur kundërshtimet e saj. Nëse nuk paraqiten kundërshtime, Dhomat e Specializuara do të vijojnë me shqyrtimin e çështjes së zhdëmtimit.
Gjykata ka përcaktuar edhe afate të tjera procedurale. Mbrojtja e Viktimave duhet të njoftojë deri më 22 shtator për ndryshime të mundshme në provat që synon të paraqesë, ndërsa raportet e ekspertëve dhe materialet e tjera duhet të dorëzohen deri më 7 tetor.
Sipas kuadrit ligjor të Dhomave të Specializuara, pas një vendimi fajësie, trupi gjykues mund të nxjerrë një urdhër për zhdëmtimin individual ose kolektiv të viktimave. Hapja e kësaj faze, megjithatë, nuk përcakton ende shumën apo formën konkrete të kompensimit që mund të vendoset.
Kjo procedurë vjen pas aktgjykimit të shkallës së parë, të shpallur më 16 shtator. Ndërkohë, çështja gjyqësore mund të vijojë edhe në fazën e apelit, çka do të thotë se zhvillimet e mëtejshme procedurale mbeten për t’u ndjekur.




