Një situatë e ndodhur së fundmi në “Ferma VIP” ka shkaktuar debat të fortë dhe reagime të shumta nga ndjekësit në rrjetet sociale.
Ngjarja nisi si një moment humori mes banorëve, kur Ilir Shaqiri po ngacmonte Mimoza Ahmetin pas gatimit, duke i thënë se kishte ruajtur një pjesë ushqimi për të. Por situata mori një drejtim tjetër kur ai, me ndihmën e Adionit, e kapi fizikisht, e shtriu dhe tentoi t’i jepte ushqim me zor.
Brenda fermës, kjo u trajtua si një shaka dhe u shoqërua me të qeshura nga banorët, por jashtë saj reagimi ka qenë krejt i kundërt. Pamjet e shpërndara online kanë sjellë një valë kritikash, ku shumë ndjekës e kanë konsideruar veprimin të papranueshëm dhe kanë kërkuar masa ndaj tyre.
Edhe pse vetë Mimoza zgjodhi të mos e dramatizojë situatën dhe ta kalojë me sportivitet, publiku ka theksuar se veprime të tilla fizike, sidomos kur bëhen pa pëlqimin e personit tjetër, nuk duhet të normalizohen në ekran.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse produksioni i “Ferma VIP” do të reagojë lidhur me këtë incident që ka ndezur diskutime të forta në rrjet.




