Fituesja e “Ferma VIP 3” dhe poetja e njohur, Mimoza Ahmeti, ka shkaktuar debat të fortë publik me deklaratat e saj të fundit në emisionin “Quo Vadis”, të moderuar nga Pranvera Borakaj.
Ajo ka kritikuar ashpër idenë e ofrimit të terapisë hormonale për adoleshentët mbi 13 vjeç, duke e cilësuar një praktikë të diskutueshme në raport me nevojat bazë të fëmijëve.
Sipas saj, përpara se të flitet për trajtime të tilla, shoqëria duhet të ketë zgjidhur çështje thelbësore si ushqimi, veshja dhe mirëqenia bazë e fëmijëve.
“Të sigurosh hormone për një fëmijë 13-14 vjeç, në një kohë kur nuk ke siguruar bukë, ushqim dhe veshje të klasit normal për të gjithë shoqërinë fëmijërore, atëherë ose je budalla, ose je komercializuar në atë pikë…”, u shpreh ajo, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën si, sipas saj, trajtohen këto çështje nga sistemi.
Ahmeti shtoi gjithashtu se shumë prej këtyre politikave i shërbejnë më shumë interesave komerciale sesa, siç tha ajo, mirëqenies reale të njerëzve, duke theksuar se shpesh ato paraqiten si “të drejta të njeriut”.
Deklaratat e saj kanë ngjallur reagime të ndryshme në rrjet, duke u kthyer në një nga temat më të diskutuara të momentit.




