Vetëm pak ditë pasi u shpall fituese e edicionit të tretë të “Ferma VIP”, Mimoza Ahmeti ka folur për rikthimin e saj në jetën e përditshme, duke zbuluar se vëmendja e madhe e publikut nuk është ajo që e ka bërë më të lumtur.
E ftuar në “Post Ferma VIP”, poetja tregoi se ditët e para pas daljes nga reality show kanë qenë shumë ndryshe nga sa i kishte imagjinuar.
E pyetur nga Florian Agalliu për përballjen me jetën jashtë fermës, Moza rrëfeu se menjëherë u përball me një interes të jashtëzakonshëm nga publiku.
“U kënaqa shumë që u riktheva më në fund në shtëpinë time. Megjithëse s’kisha internet dhe dola për të bërë pagesat e faturave, rrugët ishin të mbushura me njerëz që bërtisnin ‘Moza, Moza’… Kështu që kuptova që duhet të bëj diçka, të marr ndonjë paruke”, tha ajo me humor.
Por ajo që duket se e ka emocionuar më shumë Mimozën nuk është fama pas 81 ditësh në fermë, por rikthimi te qetësia dhe privatësia e saj.
Fituesja e “Ferma VIP” dha edhe një mesazh për ndjekësit, duke theksuar vlerën e jetës private dhe momenteve të thjeshta.
“Nuk ka si jeta private. Edhe jeta familjare më e dobët ekonomikisht, me sendet nga më të thjeshtat, është një jetë e mrekullueshme që nuk krahasohet me këtë jetën e spektaklit”, u shpreh ajo.
Fjalët e Mimoza Ahmetit janë komentuar nga ndjekësit si një dëshmi se, pavarësisht fitores dhe famës së fituar, ajo vazhdon të vendosë mbi gjithçka qetësinë dhe jetën larg kamerave.




