Bardhi ka ndarë një nga rrëfimet më personale të karrierës së tij gjatë një interviste në podkastin e Grida Dumës, ku ka folur për fëmijërinë, luftën, familjen, besimin dhe jetën e tij pranë Sarës.
Një nga momentet më prekëse të bisedës ishte kujtimi i luftës, kur shtëpia e familjes së tij u godit nga një bombë.
“Na hodhën bombën mbi shtëpi. Dyert ishin plot me plumba,” kujton këngëtari, duke rrëfyer ngjarjet që kanë lënë gjurmë në fëmijërinë e tij.
Bardhi tregoi se besimi në Zot e ka ndihmuar të përballojë sfidat dhe zhgënjimet gjatë jetës, ndërsa foli me mirënjohje për familjen e madhe ku është rritur dhe vlerat që ka marrë prej saj.
Intervista u ndal edhe te jeta private, ku artisti rrëfeu se ardhja në jetë e fëmijës së tij i ka ndryshuar plotësisht mënyrën se si e sheh jetën.
“Pse nuk jam bërë baba më herët?”, u shpreh ai, duke pranuar se prindërimi i ka dhënë një kuptim krejt tjetër çdo dite.
Në fund të bisedës, Bardhi emocionoi me fjalët kushtuar partneres së tij, Sarës, duke bërë një deklaratë që tërhoqi menjëherë vëmendjen.
“Edhe një jetë tjetër ta kisha, nuk do të gjeja një më të mirë se Sara,” tha ai.
Rrëfimi i Bardhit është pritur me shumë emocion nga publiku, i cili ka vlerësuar sinqeritetin e artistit për të ndarë kujtime të dhimbshme nga e kaluara, por edhe lumturinë që ka gjetur sot në familjen e tij.




