Hervin Çuli ka reaguar publikisht pas qarkullimit të videove intime që pretendohet se përfshijnë kompozitorin Adrian Hila, duke kërkuar që materialet të mos publikohen dhe shpërndahen më tej.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, regjisori e ka përqendruar vëmendjen veçanërisht te bashkëshortja e Hilës, Klaudia Mikeli-Hila, për të cilën thotë se e njeh prej shumë vitesh.
“Lëreni të qetë Klaudia Mikeli-Hilën!”, shkruan Çuli në nisje të reagimit të tij.
Ai tregon se ka pasur një miqësi të hershme me çiftin, që nga koha kur studionin në Akademinë e Arteve, dhe se ka njohur nga afër edhe fillimet e marrëdhënies së tyre.
Duke folur për Adrian Hilën, Çuli vlerëson karrierën e tij si kompozitor, por shpreh edhe qëndrimin e tij lidhur me pretendimet se disa prej momenteve intime mund të jenë regjistruar pa pëlqimin e personave të përfshirë.
“Krimi i tij është xhirimi i intimiteteve pa konsensusin e partnereve. Kjo është gijotina e tij për të cilën duhet gjykuar dhe duhet të japë llogari”, shkruan regjisori.
Megjithatë, ky është qëndrimi dhe pohimi i Hervin Çulit. Rrethanat e regjistrimit të materialeve, përfshirë çështjen e pëlqimit, janë ende objekt hetimi dhe nuk janë përcaktuar përfundimisht nga autoritetet.
Çuli ka kundërshtuar gjithashtu disa prej spekulimeve që kanë shoqëruar videot, duke pretenduar se personat që kanë vizituar studion e kompozitorit e kanë bërë këtë me dëshirën e tyre dhe jo për shkak të ndonjë marrëveshjeje apo interesi tjetër.
Ai u ka dalë në mbrojtje edhe artisteve të përfolura, duke argumentuar se ato nuk kanë pse t’i japin llogari publikut për jetën e tyre private.
Por pjesa më e madhe e reagimit të tij i kushtohet Klaudia Mikeli-Hilës.
“Për mua viktima e vërtetë e kësaj historie është vetëm Klaudia! Shpresoj me shpirt që të mos dalin më video të tjera”, shprehet Çuli.
Në fund, regjisori bën thirrje për ndalimin e publikimit dhe shpërndarjes së materialeve intime, duke theksuar se pasojat e një situate të tillë prekin edhe familjarët e personave të përfshirë.
“Lëreni të qetë Klaudian, zhdukini këto imazhe”, përfundon Hervin Çuli reagimin e tij.




