Fituesja e “Ferma VIP”, Mimoza Ahmeti, ka ndarë një rrëfim të sinqertë për momentet përpara hyrjes në format, duke zbuluar bisedën që pati me Arbana Osmani dhe Eduart Grishaj, e cila, sipas saj, i la një shije të hidhur, por njëkohësisht u kthye në motivimin më të madh.
E ftuar në një intervistë me gazetaren Pranvera Borakaj, Moza tregoi se produksioni kishte dyshime nëse ajo do të mund t’i përballonte sfidat e fermës dhe të qëndronte gjatë në garë.
Sipas saj, gjatë takimit, iu bë e qartë se Arbana Osmani dhe Eduart Grishaj nuk ishin plotësisht të bindur se një figurë si ajo do t’i rezistonte izolimit dhe punëve të përditshme në fermë.
“Nuk të premton njeri çmim”, ishte mesazhi që mori përpara nisjes së aventurës, një koment që Moza e priti me ndjenja të përziera.
“Nuk më erdhi mirë. Nga një anë më erdhi mirë që ishin të sinqertë, por s’më erdhi mirë që ishin mosbesues. Unë jam edhe Bricjapi, kur e vendos një objektiv, ia bën gjithë yzmetin deri në fund,” u shpreh ajo.
Shkrimtarja zbuloi gjithashtu se kishte një lloj emocioni dhe druajtjeje përballë Arbana Osmanit, por pikërisht skepticizmi i produksionit e shtyu të mos dorëzohej dhe të provonte se mund t’ia dilte.
Në fund, Mimoza Ahmeti jo vetëm që përballoi me sukses çdo sfidë të “Ferma VIP”, por arriti të fitonte edhe çmimin e madh, duke përmbysur çdo dyshim që ekzistonte në fillim të rrugëtimit të saj.




