Një surprizë e mundshme mund të ndryshojë planet për moderimin e “Big Brother VIP Kosova 5”, vetëm pak ditë përpara nisjes së spektaklit. Ndonëse Jonida Vokshi kishte njoftuar largimin pas katër sezonesh, së fundmi kanë qarkulluar informacione për një rikthim të mundshëm të saj përkrah Alaudin Hamitit.
Sipas raportimeve që po qarkullojnë, drejtuesit e televizionit dhe produksioni kanë shqyrtuar disa alternativa për prezantimin e këtij edicioni, ndërsa emri i Jonidës fillimisht nuk ishte përfshirë në planet e tyre.
Një prej emrave të përfolur për t’iu bashkuar Alaudinit ishte Bora Zemani. Megjithatë, kjo mundësi duket se nuk është konkretizuar, për shkak të angazhimeve të moderatores në Top Channel.
Madje, sipas pretendimeve ende të pakonfirmuara, televizioni ku Bora është e angazhuar nuk ka dhënë miratimin që ajo të bëhej pjesë e formatit në Kosovë. Deri më tani, as Bora Zemani dhe as Top Channel nuk kanë konfirmuar publikisht nëse ka pasur një ofertë të tillë apo nëse është vendosur ndonjë pengesë për përfshirjen e saj.
Pas kësaj alternative, u përfol edhe mundësia që Alaudin Hamiti ta prezantonte i vetëm spektaklin, një skenar që ishte përmendur nga mediat që në muajin shtator.
Por, vetëm pak ditë para premierës, vëmendja është rikthyer te Jonida Vokshi. Nëse këto informacione konfirmohen, moderatorja mund të rikthehet për të pestin sezon radhazi në krah të Alaudinit, duke vazhduar bashkëpunimin që publiku ka ndjekur në katër edicionet e mëparshme.
Kujtojmë se në fund të muajit gusht, Jonida Vokshi njoftoi largimin nga moderimi i BBVK-së, duke shpjeguar se kishte nevojë të ngadalësonte ritmin e punës, t’i kushtonte më shumë kohë familjes dhe të përqendrohej te projekte të tjera profesionale.
Në atë kohë, ajo bëri të ditur se sezonin e pestë do ta ndiqte nga ana tjetër e ekranit, duke lënë të hapur mundësinë që largimi i saj të mos ishte përfundimtar.
Ndërkohë, “Big Brother VIP Kosova 5” pritet të nisë të premten, më 30 tetor. Alaudin Hamiti është konfirmuar sërish në drejtimin e spektaklit, por deri tani produksioni nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar për rikthimin e Jonidës apo për emërimin e një bashkëmoderatoreje tjetër.
Për momentin, rikthimi i Jonida Vokshit mbetet një mundësi e përfolur dhe jo një vendim i konfirmuar. A do ta shohim sërish krah Alaudinit në skenën e BBVK-së? Mbetet për t’u parë!




