Konflikti mes Ilir Vrenozit dhe Armir Shahinit ka qenë një nga temat më të nxehta pas përfundimit të “Big Brother VIP Albania 5”, sidomos pas akuzave për një kërcënim verbal.
Por së fundmi, ish-banorë që kanë qenë prezent në momentin e tensionit kanë zbuluar prapaskenat reale të përplasjes.
Të ftuar në emisionin “E Diell”, Seno Fishta dhe Armir Tola sqaruan se situata nuk ishte aq dramatike sa u perceptua fillimisht.
Sipas Senos, gjithçka nisi nga një hatërmbetje e heshtur e Mirit, i cili kishte shprehur pakënaqësi për mungesën e mbështetjes në finale. Nga ana tjetër, reagimi i Ilirit lidhej me natyrën e tij impulsive, duke bërë që situata të tensionohej më shumë.
“Ka pasur disa ditë që Miri e shprehte me gjeste ‘pse nuk më ke mbështetur’, ndërsa Iliri është tip që reagon shpejt,” u shpreh ai.
Për të qetësuar situatën, ndërhyri Armir Tola, i cili kishte marrë rolin e ndërmjetësit mes tyre. Ai siguroi publikun se bëhej fjalë për një moment gjaknxehtësie, jo për një konflikt real që mund të përshkallëzohej.
“Kam folur me të dy. Është diçka momentale, nuk do të ndodhë asgjë,” tha ai, duke ulur tonet e alarmit.
Kjo dëshmi lë të kuptohet se e gjithë situata ishte më shumë një reaksion emocional pas spektaklit, sesa një përplasje serioze, duke e mbyllur kështu kapitullin e debatit mes ish-banorëve.




