Akili rikthehet në reality show dhe thumbon Arbanën? Deklarata e tij në BBVK5 ngre dyshime për një mesazh të fshehtë...

Akili rikthehet në reality show dhe thumbon Arbanën? Deklarata e tij në BBVK5 ngre dyshime për një mesazh të fshehtë...

Vetëm pak muaj pas largimit të bujshëm nga “Ferma VIP 3”, Akil Varfi ka vendosur të provojë sërish veten në një format televiziv, këtë herë në Big Brother VIP Kosova 5.

28-vjeçari nga Shkodra u prezantua mbrëmjen e së premtes si një nga konkurrentët e rinj të spektaklit, por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishin disa deklarata të tij, të cilat u interpretuan si kunja të mundshme ndaj moderatores Arbana Osmani.

Kujtojmë se gjatë qëndrimit në “Ferma VIP”, Akili pati disa përplasje me moderatoren, duke u bërë shpesh pjesë e diskutimeve në rrjetet sociale. Një nga momentet që u komentua më shumë ishte kur ai vendosi të nominonte veten, në vend që të përzgjidhte një prej konkurrentëve të tjerë.

Marrëdhënia mes tij dhe Arbanës u shoqërua me debate të vazhdueshme, ndërsa eliminimi i Akilit në javët e para të spektaklit shkaktoi reagime nga ndjekësit. Pas largimit, ai bëri edhe deklarata kritike për eksperiencën, duke e cilësuar pjesëmarrjen në atë format si gabimin më të madh të jetës së tij.

Tashmë, ai ka zgjedhur të nisë një aventurë të re televizive.

“Unë jam Akili. Jam shkodran, jam 28 vjeç, beqar, pa punë, pa gjë, veç kam ardhur kot”, u prezantua ai me humor në klipin e hyrjes.

Por kur u pyet për arsyen që e shtyu të bëhej pjesë e BBVK5, përgjigjja e tij riktheu vëmendjen te eksperienca e mëparshme.

“E ndjeja shumë të nevojshme me e përfundu një sfidë, një lojë që unë tashmë e kisha nisur”, deklaroi Akili, duke lënë të kuptohet se dëshiron të përmbyllë një rrugëtim që nuk arriti ta vazhdonte në “Ferma VIP”.

Një tjetër fjali e tij ngjalli edhe më shumë diskutime. Duke folur për situatat që mund ta nxjerrin nga vetja, konkurrenti u shpreh:

“Versionin më të keq të Akilit e nxjerr vetëm kur has kërmij që lepihen për me shku në majë.”

Edhe pse nuk përmendi asnjë emër, kjo deklaratë u lidh nga disa me historinë e përplasjeve të tij me Arbana Osmanin dhe kritikat e mëparshme ndaj formatit ku ajo ishte moderatore.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse fjalët e Akilit ishin një mesazh i drejtpërdrejtë për moderatoren apo thjesht një mënyrë për të përshkruar karakterin e tij.

Tashmë, me hyrjen në BBVK5, Akili ka nisur një kapitull të ri televiziv. Mbetet për t'u parë nëse këtë herë do të arrijë ta çojë deri në fund sfidën që, siç u shpreh vetë, e kishte lënë përgjysmë.