600 të ftuar, Ledri Vula dhe një surprizë emocionuese! Zbulohen detajet nga dasma e vëllait të Bebe Rexhës...

600 të ftuar, Ledri Vula dhe një surprizë emocionuese! Zbulohen detajet nga dasma e vëllait të Bebe Rexhës...

Një dasmë madhështore me atmosferë shqiptare, rreth 600 të ftuar dhe emra të njohur të muzikës! Dasma e vëllait të këngëtares Bebe Rexha ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale, ndërsa së fundmi janë zbuluar edhe më shumë detaje nga festa.

Këshilluesi i stilit Liri Nikqi, i cili ishte i pranishëm në këtë organizim, ndau disa nga momentet më të veçanta gjatë një lidhjeje live në emisionin “Ftesë në 5”, ku bisedoi me moderatoren Bieta Sulo.

Nikqi tregoi se ka një miqësi shumëvjeçare me familjen e këngëtares dhe se bashkëpunon prej kohësh me nënën e saj.

“Kam punuar dhe punoj me nënën e Bebes. Me Beben kemi bashkëpunuar këtu te puna jonë”, u shpreh ai.

Sipas Liri Nikqit, në dasmë morën pjesë rreth 600 persona, të ardhur nga treva të ndryshme shqiptare, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Dibrën.

Ai e përshkroi festën si një organizim madhështor, ku nuk munguan gëzimi, muzika dhe traditat shqiptare.

“Tipike shqiptare, ishin diku të ftuar rreth 600 vetë. Ishte një sallë e stërmbushur me gëzim dhe hare. Këta dibranët kanë një kulturë në dasmë, një investim të paparë, një përkushtim kaq të madh”, tregoi Nikqi.

Festa nisi me një grup muzikor dhe një këngëtar dibran, ndërsa kokteji zgjati rreth një orë. Më pas, atmosfera u gjallërua me performancat e artistëve të njohur.

Mes emrave që u kujdesën për muzikën dhe argëtimin e të ftuarve ishin Yllka Kuqi dhe Ledri Vula.

Sipas Nikqit, hyrja e Yllka Kuqit ishte një nga momentet e veçanta të mbrëmjes, ndërsa shfaqja e reperit Ledri Vula u kthye në një surprizë për të pranishmit.

“Pastaj ishte hyrja e këngëtares Yllka Kuqi, e cila di që t’i përshtatet çdo eventi. Pastaj surpriza, hyrja e reperit Ledri Vula, ishte një spektakël”, rrëfeu ai.

Megjithatë, surpriza më e veçantë e mbrëmjes ishte vetë Bebe Rexha.

Këngëtarja ndërkombëtare interpretoi tri nga hitet e saj gjatë dasmës së vëllait, duke krijuar një moment të veçantë për familjen dhe të ftuarit.

“Ndoshta surpriza më e bukur ishte kur Bebe këndoi 3 nga hitet e saj. Aty ishte dhe një moment pak emocionues për familjen, se si motra po i këndonte vëllait”, tregoi Liri Nikqi.

Ai përmendi gjithashtu një moment që e përshkroi si tipikisht shqiptar, kur Bebe këndoi nga oborri së bashku me hallën e saj të madhe.

Kështu, përtej emrave të njohur dhe organizimit madhështor, dasma u shndërrua në një festë familjare me tradita shqiptare, muzikë dhe emocione, ku një nga momentet më të paharrueshme ishte performanca e Bebe Rexhës për vëllain e saj.